Shkrim nga Fjorda Berisha.
Me ardhjen e fundit të vitit, është mëse e zakonshme që elementët përbërës më të thjeshtë të shoqërisë, individët, të mblidhen në sofrën familjare për të çmuar ngrohtësinë tipike që vetëm bërthama e të afërmve mund të t’a ofroj. Por në një vit atipik si ky, ku pandemia botërore ka arritur të ndryshojë kuptimin e shumë nocioneve shoqërore në përgjithësi, pjesa më e madhe e artikujve të shkruar dhe vizive, janë projektuar kryesisht mbi individët, sesi është qasja e tyre në raport me sëmundjen dhe përballja deri ne limititet e fundit për vazhdimësinë e frymës, por shumë pak është folur për atë që përmendëm më lart, sesi është vendosur familja, si institucioni më i rëndësishëm shoqëror, përballë këtij fenomeni botëror dhe cilat mekanizma janë dëmtuar nga kurora e virusit.
Nuk ka ankth më të madh sesa sëmundja e paditurisë. Dhe mos dija është kryefjala e vetme e sëmundjes famëkeqe të mijëvjeçarit të ri. Dhe këtu nuk po flasim vetëm për mungesë njohurish vetëm në aspektin publik, por dhe në atë shëndëtësor, ku vetë Organizata Botërore e Shendetësisë u gjet e papërgatitur për të shpjeguar në kohë reale efektet paraprake të sëmundjes, dhe ku pjesa më e madhe e trajtimeve u formësuan duke ndjekur pacientët rast pas rasti. Dhe kjo mosdije e përgjithshme, e bën të pashmangshme praninë e ankthit në momentin kur sëmundja troket në portën e shtëpisë, e cila rritet akoma dhe me shumë kur di që një familje mesatare në Republikën e Kosovës, ështe e përbërë nga gjashtë anëtarë, pothuajse trefishi i mesatares së BE, dhe ku së paku dy prej tyre mund të jenë të moshuar. Situata përkeqësohet akoma dhe më tej nga mjetet moderne të tejçimit të informacionit të tilla si mediat televizive apo ato sociale, dhe mbi të gjitha nga interneti. Statistika, mosha mesatare e të vdekurve, sëmundjet shoqëruese, përkeqsimi i simptomave dhe shumë të tjera janë çorba bruto që i serviret individit nga mjetet moderne të komunikimit, që të bashkuara me ankthin, projektohen nga gjithsekush në aspektin personal familjar. A është im atë në grupin e “më të rrezikuarve nga sëmundjet shoqëruese”, a është ime më, “më e re apo në grupin e individëve me moshën mesatare më të rrezikuar nga pandemia”, janë pyetjet kryesore që rrisin rrahjet e zemrës dhe shtojnë tensionin psikologjik në mendjen e gjithësecilit. Dhe si barazpeshë për këtë, është pikërisht e kundërta e depresionit dhe pesimizmit, shpresa, gjendja mendore optimiste e cila bazohet në një pritje të rezultateve pozitive në lidhje me ngjarjet dhe rrethanat në jetën e një personi, dhe sidomos në periudha të errëta si viti që po kalojmë, ështe drita e vetme në fundin e tunelit.
Mirëpo fatkeqësisht, dëmi psikologjik nuk është efekti “anësor” i vetëm i kësaj pandemie. Kosova së bashku më Shqipërinë renditet si një nga vëndet me mirëqënien dhe të ardhurat për frymë më të ulëta në të gjithë vendet e Europës. Dhe këtu nuk po flasim për Europën e njohur si Bashkimi Europian, por Europën si kontinent. Paga mesatare ne Republiken e Kosoves për vitin 2019 sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës rezulton të jetë 363 Euro. Dhe ndërkohë që pjesa më e madhe e individëve përpiqen të ekonomizojnë muajin me një fond të tillë minimal, vitit aktual i ështe shtuar dhe pesha e trajtimeve për sëmundjen infektive. Sipas të dhënave të papërpunuara, dhe në varësi të gjendjes së simptomave, trajtimi ditor me barna dhe medikamente suplementare kushton afërsisht 86 Euro. Dhe nëse kësaj përllogaritjeje të thjeshtë, i shton ditët në të cilën pacienti ka simptoma të lehta, rezultati është tepër i trishtë. Pra një individ në një familje mesatare shqiptare, krahas barrës shpirtërore për rimëkëmbjen e të afërmit të sëmurë, duhet të mbajë mbi supe dhe barrën financiare të përballimit të shpenzimeve shëndetësore.
Megjithatë, duke u bazuar dhe në bestytnitë e trashëguara shqiptare, ku ndërrimi i moteve shoqërohet medoemos dhe me ndryshimin në sensin pozitiv të gjithçkaje, viti i ri paraqitet premtues në drejtim të rikthimit të normalitetit. Miratimi i vaksinës, si dhe rritja e imunizimit të popullsisë, janë rrezet e para të dritës së një mëngjesi të ri, i cili dalëngadalë shpalos dritën e tij mbi shpresat e gjithësecilit. Dhe ndërkohë që jeta e re, ndoshta nuk do ketë shumë karakteristika të asaj të vjetrës, ilaçi më i mirë i trajtimit të plagëve është trokitja e gotave në sofrën familjare.