Shkrim nga Fjordë Berisha
Po lani duart si i çmendur. Po qëndroni 6 metra larg njerëzve që teshtijnë. Ju nuk e dini nëse është e sigurt të përqafoni miqtë ose familjen tuaj, ose të shkoni në punë apo ku di unë se çfarë.
Ju as nuk e dini nëse do të jeni gjallë për një vit, është e frikshme, është surreale, por për shumë pacientë me kancer, është thjeshtë e martë!
“Përballja me kancerin dy herë më ka mësuar të përqafoj statusin tim të jetës gjithnjë në ndryshim,” shkroi i mbijetuari i kancerit të tiroides dhe gjirit Ghecemy Lopez gjatë një bisede të fundit në kancerin e gjirit në portalin social “Twitter” mbi strategjitë e përballimit të pandemisë COVID-19. “Të mbijetuarit kanë kaq shumë mësime për të ndarë. Ne jemi ekspertë nëpërshtatjen me normalitetin e ri ’- edhe para se ajo të bëhej e njohur”.
Për ata që janë diagnostikuar me kancer, fillimi i pandemisë së Covid-Sars-Cov-2 është dukur pak, le të themi, si ndjesi e njohur. Kërkimi në Google apo në motorrët e tjerë të kërkimit dhe mbledhja e të dhënave në mënyrë të furishme. Mohimi dhe mosbesimi. Pasiguria dhe kapja e panikut. Të gjithë pacientët me kancer kanë qenë atje. E njëjta gjë vlen për të gjitha masat e përkujdesjes, larjen e duarve dhe mbikëqyrjen. Njerëzit të cilët kanë kaluar ndërhyrje kirurgjikale ose rrezatimin, kimioterapinë ose transplantime të palcës së kockave ose trajtime të tjera imuno-kompromentuese detyrohen rregullisht të vetëizolohen në shtëpi, duke shmangur turmat apo miqtë e diagnostikuar me të ftohtë, duke anashkaluar dasmat apo udhëtimet ajrore dhe duke porositur ushqimet e tyre në internet.
Kur pjesa më e madhe e njerëzve u përballën me tiparet e mësipërme në ditët e para të mbylljes globale, bota u duk shumë gri, shumë syresh humbën forcën për të jetuar, disa mendonin nëse do mund t’ia dilnin, dhe shumë të tjerë, të cilët patën fatin e keq të rezultonin pozitiv nga virusi i shekullit, ndjenë për herë të parë ndjesinë e diskriminimit të të tjerëve.
Të gjitha këto ishin patjetër të reja për secilin prej nesh, por për pacientët e zakonshëm të pavionit onkologjik, ishin tashmë më se të zakonshme.
Leximi i informacioneve nëpër portale, distancimi patologjik dhe shpeshherë fyes nga palët e treta, a thua sikur masat tumoriale apo kanceri në përgjithësi tejçohet po aq kollaj sa murtaja bubonike, si dhe frika e një vdekje të parakohshme dhe të dhimbshme janë mendimet kryesore që shkojnë në mendjen e pacientëve të diagnostikuar me kancer, pavarësisht se shumë pak prej nesh arrinte t’i kuptonte thellësisht përpjektjet e tyre, në momentin e dhënies së lajmit famëkeq pas analizave spitalore, për t’u kapur në një fije të vogël shprese, në një fjalë të mirë të thënë nga mjeku specialist, apo nga shpresa që miqtë dhe familjarët do i qëndrojnë afër.
Në një vit që filloi dhe po mbaron me lajme kontradiktore, statistika të trishta dhe lodhje mendore, të gjithë duhet të mësojmë leksionet e palexuara më parë nga të diagnostikuarit me kancer, luftën e tyre të brendshme, për një sëmundje për të cilët humanët nuk kanë as imunitet as njohuritë e nevojshme për gjetjen e një kure, dhe së fundmi dëshirën ndoshta instiktive për jetë. Mënyra e tyre e zakonshme e jetesës, është kthyer tashmë në mënyrën tonë të të jetuarit, duke na udhëhequr në rregullat fizike apo morale të bashkëjetesës në kohë lufte, me ilaçin e vetëm të shpërndarjes së dashurisë.